Digjitalizimi kundrejt parasë fizike

Tema

Digjitalizimi kundrejt parasë fizike.

Data

14 qershor 2022

Temat që do të diskutohen:

  • Kanale alternative të pagesave
  • Ulja e cash-it në ekonomi dhe lufta ndaj informalitetit
  • Perdorimi i e-Albania nga bankat

Pjesëmarrës

Bankat anëtare, Banka e Shqipërisë, Zyra e Zëvendës Kryeministrit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, VISA, institucionet shtetërore, sektori financiar, shoqatat e biznesit, etj.

Forumi organizohet me mbështetjen e Paylink.

“DIGJITALIZIMI KUNDREJT PARASË FIZIKE”

Forumi “Digjitalizimi kundrejt Parasë Fizike” zhvilloi punimet në Tiranë, më datën 14 qershor 2022. Të ftuar ishin drejtues të bankave, punonjës të industrisë bankare, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe publike, të shoqatave të biznesit, nga bota akademike, media, politika, nga institucione ndërkombëtare dhe institucione të huaja. Gjithashtu morën pjese Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave z. Arben Ahmetaj; Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko; si dhe Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë z. Eduard Shalsi.

Forumi kishte në qendër tre çështje:

  1. Kanalet alternative të pagesave;
  2. Ulja e cash-it dhe lufta e informalitetit;
  3. Qasja e bankave në e-Albania.

1.

Lidhur me kanalet alternative të pagesave, edhe pse ekziston një strategji për pagesat me vlerë të vogël të miratuar nga Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave, akoma nuk ka ndonjë iniciativë konkrete apo projekt për zbatim. Sot konsumatori shqiptar dhe biznesi ndodhen para alternativës së vetme të pranuar gjerësisht për pagesën e mallrave dhe shërbimeve me para fizike. Në disa raste, sidomos në zona më të zhvilluara dhe njësitë e biznesit me qëndrueshmëri, mund të paguash edhe me kartë.

AAB kërkon një alternativë tjetër, masivisht të përdorshme, të pranuar edhe nga bizneset, me kosto të ulët, që të bashkëjetojë kundrejt parasë fizike. Eksperienca nga vende të tjera ka: Greqia dhe Hungaria e kanë bërë me detyrim, me ligj, në bashkëpunim me qeverinë; Armenia sapo e ka miratuar ligjin; Serbia ka zhvilluar kartë lokale. Vende të tjera kanë instant payment. Në tavolinë u prezantuan modele si SWITCH i pagesave brenda vendit me kartat ndërkombëtare, të përdorimit të QR Code dhe ndoshta edhe kartë lokale.

Forumi la të hapur përgatitjen e një concept-note ku të analizohen mundësitë për të përqendruar një kanal alternativ pagese, në bashkëpunim me BSh dhe nëse do të duhet edhe ndihma e qeverisë. Gjithashtu VISA shprehu gatishmërinë për të ndihmuar dhe mbështetur në këtë propozim me zgjidhje nga eksperienca dhe mundësitë e tyre.

2.

Kanali alternativ i pagesës bëhet më i domosdoshëm kur mendojmë se sa i pranishëm është cash-i në ekonominë shqiptare. Që të ulet paraja fizike, i duhen ofruar mundësi reale kudo konsumatorit dhe biznesit që mund të paguajë me një mënyrë tjetër elektronike. Ulja e parasë fizike kursen kosto të printimit dhe mirëmbajtjes së parasë, formalizon ekonominë dhe përmirëson imazhin e vendit.

Që të ulet paraja fizike, është rasti që Qeveria te shikojë limitin  tavan për pagesa me para në dorë për individin dhe ndoshta ta unisojë atë me atë të biznesit. Aktualisht tavani është 150 mijë lekë vetëm për biznesin. Maqedonia e Veriut ka vendosur 500 euro për çdo pagesë. Ne do të propozonim një limit për biznes dhe për individ. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë mirëpriti propozimin për ta elaboruar më tej me më shumë argumente dhe në kushtet tona reale sa i mundur është dhe çfarë limiti mund të jetë.

3.

Digjitalizimi është një proces i thellë dhe i gjerë. Ai duhet të përfshijë mundësisht të gjitha shërbimet dhe pagesat, si për sektorin privat ashtu edhe atë shtetëror. Në këtë kuadër, në Forum u theksua bashkëpunimi midis MFE, BSh, AKSHI dhe AAB në lidhje me ngritjen e grupit të punës për gjetjen e zgjidhjes së pranuar nga palët për pagesën e shërbimeve publike të mara nga e-Albania. Mbledhja e radhës e grupit të punës ndoshta do të arrijë në dakordësinë e zgjidhjes.

Nga ana tjetër, bankat janë shumë të interesuara që të përfitojnë nga platforma e-Albania duke i dhënë të drejtën e qasjes çdo banke kundrejt një procedure të mirë përcaktuar për të marë informacion, me autorizim të klientit, për efekt të analizës së riskut kur kërkohet kredi. Kjo do të lehtësonte çdo individ, por edhe bizneset, për të mos humbur kohë dhe për të mos ardhur vërdallë në sigurimin e këtyre të dhënave. Banka do të verifikojë në e-Albania ato tregues që ka nevojë dhe që ofrohen nga e- Albania. Kjo mbete për t’u zgjidhur nëse bëhet apo jo duke ndërtuar një komunikim midis AKSHI-t dhe AAB me ndërmjetësinë e Qeverisë. AAB do të insistojë nëpërmjet zyrës së Zëvendës Kryeministrit për këtë ndërmjetësim.

Digjitalizimi nuk është një akt, është proces; nuk është i njëanshëm, por bashkëpunim. Ky bashkëpunim midis aktorëve të tregut dhe ligjvënësve duhet të jetë shumë më transparent, efektiv dhe me mendje të hapur. P.sh., procesi i hapjes së llogarisë online është akoma i paqartë ligjërisht; saktësime pa ekuivoke kërkohen, bazuar në eksperiencat e vendeve të tjera. Edhe përdorimi i llogarisë pas hapjes gjithashtu është i paqartë dhe mjaft kufizues. Kjo dhe mungesa e një kuadri dhe mundësie më konkurruese në treg për firmën elektronike do t’i jepte hov mbylljes së ciklit të digjitalizimit të shërbimeve dhe pagesave në industrinë bankare. Duhet të nënvizojmë që me hapjen e llogarisë online; me firmën elektronike; me pagesat e shërbimeve publike dhe pagesave ndërkombëtare nga ana e biznesit mbyllet cikli i digjitalizimit të shërbimeve bankare.

***

Forumi, duke tërhequr vëmendjen e institucioneve përgjegjëse dhe aktorëve të interesuar të tregut për digjitalizimin e shërbimeve bankare, shërbeu si një tavolinë ku u paraqitën oportunitete, mundësi, analiza, sfida, eksperienca dhe synime për të vazhduar bashkëpunimin së bashku në të ardhmen për të bërë realitet sa më shumë nga kërkesat që koha ka shtruar për plotësim dhe zgjidhje. Concept-note do të përpunohet në javët në vazhdim dhe do t’i paraqitet strukturave përkatëse shtetërore dhe palëve të interesuara.

 

Shoqata Shqiptare e Bankave

Tiranë, 15 qershor 2022

GALERIA