2016
6 prill 2016 – Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi në ambientet e Sky Tower, një takim diskutimi në lidhje me ndryshimet më të fundit në Kodin e Punës. Të pranishëm ishin përfaqësues të sistemit bankar; Z. Erion Manohasa, Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Z.Dritan Ylli, Kryeinspektor, Inspektorati i Punës dhe përfaqësues të tjerë të autoriteteve të sipërpërmendura.
Në fjalën e hapjes, Znj. Endrita Xhaferaj, Sekretare e Përgjithshme e AAB, falenderoi të pranishmit dhe u shpreh se ky takim do të shërbejë për të sqaruar ndryshimet e fundit në Kodin e Punës si dhe çështje konkrete ngritur nga bankat, me qëllim zbatimin sa më korrekt të kuadrit ligjor në praktikë.
Z. Ylli shpjegoi se synimi i këtyre ndryshimeve është përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i kushteve më të favorshme nga të cilat do të përfitojnë punëdhënësit dhe sidomos punëmarrësit. Ai përmendi shërbime të reja (si shërbimet online) në Inspektoriat të cilat do të ofrojnë lehtësi në punën e përditshme.
Z. Manohasa, prezantoi në mënyrë të përmbledhur risitë që sjellin ndryshimet në Kodin e Punës, në kuadër të përafrimit me legjislacionin Bashkimin Evropian, po edhe të koordinimit më të mirë me legjislacionin ekzistues në vend, për mbrojtjen më të mirë të të drejtave të punëmarrësve dhe shtimin e transparencës e konkurrueshmërisë në treg. Ai theksoi se Ministria e Mirëqënies Sociale do të vazhdojë fushatën ndërgjegjësuese në lidhje me këto ndryshime.
Takimi vijoi me sqarime teknike si nga Ministria ashtu edhe nga Inspektorati i Punës, për të qartësuar nene specifike dhe çështje të ngritura nga bankat që kërkojnë interpretim. Ndryshimet në Kodin e Punës hyjnë në fuqi në 22 Qershor 2016.