A fitojnë vërtet shumë bankat?

Nga Dr. Spiro Brumbulli

Sa herë që flitet për fitimin e bankave, ka një vëmendje të shtuar nga publiku dhe nga opinionistë të ndryshëm. Sa dëgjojnë shifër absolute, p.sh., “sektori bankar siguroi fitim 157 milionë euro për vitin 2021”, fillojnë komentet me negativitet: “Çfarë fitimi! Vetëm këta fitojnë! Na rrjepin ne e fitojnë vetë!”

Përtej këtyre populizmave, po në respekt të opinionit publik dhe transparencës për fitueshmërinë e sektorit bankar, po bëjmë një analizë të thjeshtë, të nevojshme për t’u kuptuar nga kushdo.

Është një gjë të dëgjosh një shifër dhe është krejt gjë tjetër ta analizosh atë. Në Grafikun nr. 1 paraqiten kthimet nga kapitali (RoE) për industrinë bankare që nga viti 2010. Në 12 vitet e marë në shqyrtim, vetëm tre herë RoE është me dy shifra dhe asnjëherë në madhësinë 15 -20 për qind, e cila konsiderohet si shifër e mirë për fitueshmërinë e këtij sektori (sepse, nëse fitohet 5 -6 vite rresht me këtë normë, atëherë kthehet kapitali i investuar dhe aksionarët ndjehen të lehtësuar nga risku i  moskthimit). Për nëntë vjet kthimi nga kapitali është vërtitur në diapazonin 0.71 – 8.66 për qind, shumë më pak se norma e vlerësuar e pranueshme.

Në këtë paraqitje, ka rëndësi të kuptohet se kthimi nga kapitali (RoE) është treguesi kryesor që përdoret për të vlerësuar eficiencën e përdorimit të kapitalit në një industri. Thënë ndryshe, sa lekë siguroj për çdo lek të investuar. P.sh., nëse RoE është 11.46%, ky tregues do të thotë që për 100 lekë të investuara investitori merr (i kthehen) vetëm 11.5 lekë. Po të shikojmë kapitalin e angazhuar nga sektori bankar, Grafiku nr. 2, kuptojmë se nga viti 2009 (698 milionë euro) në vitin 2021 (1,494 milionë euro) ky kapital është dyfishuar. Pra, më shumë kapital është shtuar, është angazhuar në veprimtarinë bankare, se sa është justifikuar me sigurimin e fitimit në diapazonin 0.71 – 13.58 për qind.

Pra, fitimi i industrisë bankare për të gjithë këtë periudhë nuk e ka justifikuar angazhimin e kapitalit. Është e drejtë të thuhet që bankat kanë qenë me fitim, ashtu siç është shumë e drejtë të thuhet se fitimi është i pamjaftueshëm për të justifikuar angazhimin e kapitalit. Në fund të vitit 2021, kapitali i industrisë bankare llogaritet rreth 180 miliardë lekë (ose rreth 1.5 miliardë euro).

Në analizën e mësipërme nuk janë përfshirë humbjet gjatë ushtrimit të veprimtarisë, sidomos ato nga veprimtaria e huadhënies (kreditë). Këto mund të shkaktojnë humbje në veprimtarinë gjatë një viti, mund të prekin mjaftueshmërinë e kapitalit dhe kërkohet shtesë e kapitalit (para e gatshme për t’u derdhur në llogarinë e kapitalit të bankës), ndryshe nga ç’ndodh në shumë industri të tjera. Me përjashtim të sektorit financiar, asnjë industri tjetër nuk ka kufizime të tilla për nevojën e kapitalit.

Thënë këto, jo për të menduar se “sa keq na vjen, mbetët pa para”, siç rëndom mund të shkruhet në statuse të ndryshme, por për të kuptuar se si funksionon industria bankare dhe si të gjykohet për madhësinë e fitueshmërisë së saj.

GALLERY