Siguria fizike në banka
Tiranë, 21 shtator 2016
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Komiteti për Sigurinë Bankare organizuan Forumin e 5-të të Sigurisë Fizike në banka
Fjala e hapjes u mbajt nga z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB-së, i cili vuri në dukje se ngjarjet e fundit të ndodhura ndaj sektorit bankar për grabitje të vlerave monetare në kasafortë dhe në transport kërkojnë rishikim të përgjegjësive të gjitha institucioneve përgjegjëse për krijimin e ambientit të sigurt të zhvillimit të veprimtarisë bankare. Krimi është sofistikuar, por nuk përbën panik. Sektori bankar ka treguar se është i aftë të grumbullojë depozita, të përpunojë cash dhe të transportojë vlera monetare pa cenuar sigurinë financiare të depozituesve, pa penguar ekonominë dhe shoqërinë të ecin përpara.
Të pranishëm në këtë forum ishin përfaqësues të bankave tregtare që operojnë në Shqipëri dhe Kosovë, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga Shoqata e Bankave të Kosovës, Shoqërive të Ruajtjes së Sigurisë Fizike dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Ky forum morri shkas nga ngjarjet e ndodhura së fundmi dhe që nxorën në pah nevojën për përmirësim në drejtim të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të strukturave të sigurisë në banka, vlerësimin e rrezikut, rritjen e nivelit të bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore, përgjegjëse për sigurinë publike, ndarjen e eksperiencave më të mira dhe standardeve bashkëkohore.
Forumi u organizua në dy seksione, gjatë të cilave u trajtuan tema si: Bashkëpunimi ndërinstitucional për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen në sistemin bankar, Trekëndëshi i Sigurisë; Problematikat dhe trendet e shërbimeve në sigurinë fizike; Eficenca e përdorimit të mbrojtjes elektronike dhe përfitimet nga përdorimi i teknologjisë së avancuar, kosto në sigurim; ruajtja e informacionit në komunikim, etj. Të ftuarit nga Kosova sollën eksperiencën e bankave në Kosovë për sigurinë fizike dhe transportin e vlerave monetare. Shoqëritë e ShPSF-ve ngritën shqetësimet në përballimin e kostos reale të veprimtarisë së tyre. Përfaqësuesit nga Banka e Shqipërisë dhe Drejtoria e Policisë theksuan nevojën e bashkëpunimit dhe zbatimit korrekt të kërkesave të kuadrit ligjor dhe akteve të tjera nënligjore në lidhje me sigurimin e veprimtarisë bankare.
Në përfundim të punimeve të këtij forumi pjesëmarrësit shprehën domosdoshmërinë e organizimit të takimeve të tilla, të nevojës së ndjekjes në të ardhmen të problemeve të ngritura në këtë Forum, të ndarjes më të gjerë të eksperiencave nga rajoni, të reagimit ndaj kërkesave rregullative dhe domosdoshmërisë së plotësimit të kuadrit ligjor. Bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të vazhdojë me prioritetin se është më e lehtë dhe më e lirë të parandalosh krimin se sa të kurosh pasojat.
GALERIA