Kreditimi i ekonomisë dhe shëndeti afatgjatë i sistemit bankar
Në datën 4 mars 2013 zhvilloi punimet forumi me temë “Kreditimi i ekonomisë dhe shëndeti afatgjatë i sistemit bankar”. Përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe “Business Albania” diskutuan mbi masat që duhen marrë për stimulimin e kreditimit dhe stabilitetin afatgjatë makroekonomik.
Guvernatori Ardian Fullani prezantoi paketën e masave për nxitjen e kreditimit nga bankat dhe shpjegoi tre shtyllat mbi të cilat do të bazohet kjo paketë: ndryshimet ligjore për ekzekutimin e kolateralit, politika monetare dhe masat makroprudenciale.
Fjala e z. Seyhan Pencabligil, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, në forumin “Kreditimi i ekonomisë dhe shëndeti afatgjatë i sistemit bankar”, 4 mars 2013.
I nderuar guvernator Fullani,
I nderuar kryetar Bregasi,
Të nderuar përfaqësues të sistemit bankar, biznesit dhe medias,
Zonja dhe zotërinj:
Përshëndetje dhe ju falenderoj për interesimin tuaj. Falenderimet e mia të veçanta shkojnë për guvernator Fullanin, i cili ndërmori iniciativën për të organizuar këtë tryezë të rrumbullakëtm, me qëllim përfundimtar stimulimin e ekonomisë, duke mundësuar rritjen e kreditimit nga bankat.
Gjashtë vjet më parë, kishim një tryezë të ngjashme me bankën e Shqipërisë dhe FMN, por atëherë problemi ishte se pse bankat po jepnin kaq shumë kredi! Dhe atëherë, çështja ishte shumë e thjeshtë. Secila bankë kishte arsyet e veta pse po jepte kredi. Banka e Kursimeve, për shembull, në atë kohë sa ishte privatizuar dhe nuk kishte hua në llogaritë e saj, ndaj donte që të jepte hua në mënyrë agresive.
Ju lutem, më lejoni t’i shikoj gjërat pak më thellë.
Së pari, bankat në Shqipëri po japin hua – po aq sa po japin hua bankat në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Slloveni, Hungari e kështu me radhë. Ndaj, rasti i Shqipërisë nuk është unik në rajon, por tipik.
Së dyti, bizneset shqiptare nuk po kthejnë borxhet që u kanë bankave, në një nivel më të lartë se huamarrësit e tjerë në rajon dhe si rrjedhojë bankat nuk po bëjnë fitime të mjaftueshme për të justifikuar rrezikun që ato marrin përsipër. Me fjalë të tjerë, aksionerët tanë do të ndiheshin më mirë nëse do të shisnin aktivet dhe do të investonin gjetkë.
Së treti, jam dakord me guvernatorin Fullanin se disa masa duhet të jenë specifike, sipas bankave. Nuk mund të zgjidhni një çështje që e ka origjinën në Autoritetin Europian Bankar në Frankfurt, duke ndryshuar disa rregullore në Tiranë.
Duke pasur parasysh elementet e mësipërm, le të kthehemi te çështja kryesore: Si mund ta nxisim ekonominë në kontekstin e ndërmjetësimit financiar?
Shumë prej masave të përmendura nga guvernator Fullani mirëpriten nga bankat, por duhet bërë më shumë dhe jo vetëm nga Banka e Shqipërisë.
Pothuajse gjysma e depozitave janë në monedhë të huaj, kryesisht në euro dhe kjo është e kuptueshme. Rreth një e treta e popullsisë jeton dhe punon në shtetet e eurozonës. Pjesa më e madhe e tregtisë zhvillohet me vendet e eurozonës. Gjeografikisht Shqipëria është e rrethuar nga shtete që ose përdorin euron, ose kanë një regjim kursi këmbimi të varur ndaj euros. Vetë vendi aspiron që të hyjë në eurozonë një ditë.
Shqipëria nuk është akoma në gjendje që t’i përdorë depozitat në euro. Në rast se ne i japim ato hua te bizneset që nuk gjenerojnë të ardhura në euro – dhe pjesa më e madhe e bizneseve në Shqipëri nuk gjenerojnë të ardhura në euro – atëherë Banka e Shqipërisë na kërkon ne që të vëmë më shumë kapital mënjanë. Në rast se ne i japim hua shtetit, sërish Banka e Shqipërisë e kufizon një huadhënie të tillë, sikur shteti të ishte një kompani e zakonshme. Si rrjedhojë, bankat detyrohen që të investojnë pjesën më të madhe të depozitave të shqiptarëve në euro jashtë Shqipërisë, me interesa shumë të ulëta që do të thosha se janë ndëshkuese për bankat. Ne duhet të lejohemi që të japim më shumë hua për shtetin në euro, në mënyrë që ai të plotësojë detyrimet që ka ndaj bizneseve, që nga ana e tyre mund të paguajnë borxhet ndaj bankave: Kjo është një mënyrë për të thyer rrethin vicioz. Gjithsesi, në rast se bankat do të detyrohen që të sjellin euro në vend, pa iu dhënë platforma të reja për të investuar, atëherë rezultati i pashmangshëm do të jetë një rënie drastike në normat e interesit që ne paguajmë për depozitat në euro.
Së dyti, sikundër përmendi guvernator Fullani, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave dhe aktorë të tjerë ka përgatitur propozime për të amenduar Kodin Civil dhe Kodin e Procedurave Civile. Këto amendamente janë të nevojshme për të përshpejtuar ekzekutimin e kolateralit dhe për të stimuluar ekonominë. Ndryshime të ngjashme janë bërë dhe në vendet e tjera të rajonit. Por, ndryshime të tilla kërkojnë një shumicë të cilësuar në parlament dhe unë i bëj apel të gjitha partive politike në parlament që ta trajtojnë këtë çështje si një nevojë ekonomike, sesa një debat politik.
Një çështje e tretë është se ne besojmë se Banka e Shqipërisë po tregohet shumë e kujdesshme në kërkesat për provigjionime për huat e këqija. Provigjionimet që ne duhet të bëjmë sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë nuk njihen as nga autoritetet e taksave dhe as nga standardet e raportimit financiar. Provigjionimi i tepërt po na shteron bazën e kapitalit dhe po redukton kapacitetin tonë huadhënës. Ne po finalizojmë një studim nga një firmë e pavarur për të paraqitur çështjen te Banka e Shqipërisë, sipas të cilës provigjionimi duhet të marrë në konsideratë kolateralin fizik.
Së fundi, disa banka kanë qenë viktimë kohët e fundit të një interpretimi të gabuar të ligjit të taksave për shpenzimet provigjionuese, ligj për të cilat është në vetvete arbitrar dhe Shoqata jonë po e çon në Gjykatën Kushtetuese. Rezultati i një interpretimi të tillë deri tani ka qenë që bankave u është dashur që të paguajnë taksa të mëdha në proporcion me fitimet e tyre që tashmë janë shumë të ulëta.
Bankat në Shqipëri nuk e kanë shkaktuar ngadalësimin e ekonomisë – ne thjesht e pasqyrojmë atë. Ne nuk kemi aktive toksike, as derivateve ekzotike; ne nuk kemi dhënë hua në masë të tepruar në raport me PBB-në apo me depozitat; nuk kemi dhënë hua në monedhën zvicerane apo japoneze. Në retrospektivë, duke gjykuar nga niveli i lartë i huave me probleme, ne duhet të kishim dhënë më pak hua: me siguri disa nga bizneset nuk e meritojnë besimin tonë. Por, ne kemi qenë gjithnjë në krah të bizneseve dhe ne duam që të jemi pjesë e zgjidhjes.
Sot, ka shumë banka në sistem, që nuk janë kufizuar as nga rregullat e Bankës së Shqipërisë dhe as nga ato të Autoritetit Bankar Europiane, po thjesht po presin dhe po kërkojnë për projektet të mira dhe biznese të besueshme.
Si përfundim doja të theksoja si më poshtë:
- Masat e propozuara nga Banka e Shqipërisë janë të mirë pritura, por duhet bërë më shumë;
- Ka autoritete të tjera, përfshirë parlamentin, që duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre që të veprojnë në këtë pikë;
- Edhe në rast se nuk merren masa, ka ende banka në sistem që kërkojnë për projekte të mira dhe klientë të besueshëm që të japin hua
Ju falenderoj për vëmendjen!
GALERIA