Konferenca e Parë e AAB-së “Bankingu digjital në Shqipëri”

About the conference

Në datë 25 maj 2016, u zhvillua konferenca me temë “Bankingu dixhital në Shqipëri” në ambientet e hotel “Tirana International”, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Komitetin Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Qëllimi i organizimit të kësaj konference është promovimi i teknologjive të reja që sektori bankar përdor në ofrimin e shërbimeve dhe produkteve bankare për qytetarët shqiptarë. Ky sektor i kushton një rëndësi të veçantë inovacionit në fushën e teknologjisë, ndaj dhe mbetet pararojë në adoptimin dhe implementimin e risive në këtë fushë, si një mundësi më shumë për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit.

Në fjalën e hapjes, Kryetari i Shoqatës së Bankave, z. Christian Canacaris theksoi se teknologjia dhe konsumatorët kanë kontribuuar në vizionin e bankave, që këto të fundit të rimendojnë mënyrën në të cilën ato operojnë. Dixhitalizimi në banka dhe në industrinë bankare nuk është një zgjedhje, dhe as një opsion: kjo është mënyra e biznesit bankar sot dhe në të ardhmen. Z. Canacaris veçoi se industria bankare në Shqipëri është e mirëorientuar drejt bankingut dixhital dhe se shifrat deri më tani janë shumë optimiste, 12 nga 16 banka të cilat operojnë në vend, ofrojnë internet banking, 7 nga 16 ofrojnë mobile banking dhe 3 banka ofrojnë e-commerce. Gjatë pesë viteve të fundit (2011 – 2015) industria bankare ka investuar 65 milionë euro në infrastrukturë dhe shërbime të teknologjisë së informacionit. Këtë vit është planifikuar të investohen 16 milionë euro.

Kjo konferencë ishte e organizuar në tre panele kryesore. Paneli i parë u drejtua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, njëkohësisht dhe Kryetare e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave dhe pjesëmarrës ishin: Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, zj. Milena Harito, z. Francisco Tur Hartmann, përfaqësues i Bankës Qendrore Evropiane, zj. Pascale – Marie Brien përfaqësuese e Federatës Evropiane Bankare, z. Frederic Blanc, anëtar i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Societe Generale Albania dhe z. Periklis Drougkas, Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania.

Zëvendësguvernatorja Gjoni gjatë moderimit të panelit theksoi se në kuadër të nxitjes së tregut drejt shërbimeve inovative të pagesave, Banka e Shqipërisë në rolin e rregullatorit dhe katalizatorit ka ndërmarrë një sërë masash rregullative kohët e fundit që synojnë heqjen e barrierave dhe rritjen e konkurrencës. Këto masa janë bazuar në praktikat evropiane, jo vetëm në kuadër të aderimit të Shqipërisë drejt tregut të përbashkët evropian, por dhe si një nga zgjidhjet më optimale në terma të sigurisë dhe efikasitetit në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu, zj. Gjoni nënvizoi se mbeten ende shumë sfida për të ardhmen dhe në këtë kuadër bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional është tejet i rëndësishëm. Në këtë kuadër, Zëvendësguvernatorja si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim përmendi aktivitetin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, i cili synon krijimin e një vizioni për zhvillimin e sistemeve të pagesave në tregun shqiptar.

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, zj. Milena Harito gjatë fjalës së saj prezantoi zhvillimet më të fundit lidhur me projektet e ndërmarra në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve qeveritare nga ana e qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër, Ministrja Harito theksoi se promovimi i mënyrave inovative të pagesave, si ato me celular, vlerësohen si e ardhmja e pagesave jo vetëm për faktin se mundësojnë luftën kundër informalitetit por gjithashtu lehtësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Në fund, zj. Harito veçoi rëndësinë e promovimit të projekteve te reja për të garantuar integritetin e të dhënave.

Në panelin e dytë u paraqitën zhvillimet e fundit lidhur me transformimin dixhital dhe rolin e tij në industrinë bankare. Ky panel, i moderuar nga zj. Maria Teresa Chiementi përfaqësuese e Grupit të Zhvillimit të Sistemeve të Pagesave pranë Bankës Botërore, u fokusua në zhvillimet më të fundit në perspektivën e inovacionit nga aktorët e tregut. Theks i veçantë iu kushtua pagesave dhe shërbimeve bankare në kohë reale, si nga perspektiva e ofruesve të shërbimeve ashtu edhe nga ana e zhvillimit të infrastrukturës mbështetëse. Vlerë të shtuar kishte dhe prezantimi i z. Wim Mijs, Drejtor Ekzekutiv i Federatës Evropiane Bankare, i cili foli mbi kuadrin rregullativ në Bashkimin Evropian dhe ndikimin në Shqipëri. Në këtë seksion, referuesit nga Turqia (Garanti Bank) dhe Polonia sollën eksperiencën e vendeve dhe respektivisht trendin e fundit në bankingun dixhital dhe modelin e ndjekur nga Polonia në sistemet e pagesave.

Paneli i tretë me temë “Banka dixhitale në Shqipëri – ku pozicionohemi dhe çfarë duhet të dimë” u drejtua nga Kryetari i Shoqatës së Bankave, z. Christian Canacaris dhe pjesëmarrës ishin z. Enkelejd Zotaj nga Raiffeisen Bank, z. Fatih Karli, BKT, z. Gideon Van Der Broek dhe z. Paul Wide nga International Commercial Bank. Referuesit prezantuan produkte dhe shërbime që ofrohen tek konsumatori shqiptar nga bankat që ata përfaqësojnë.

Gjatë dy prezantimeve të fundit nga z. Romano Stasi, Drejtor i Shoqataës Italiane të Bankave dhe z. Raja Said, përfaqësues i ProgressSoft Corporation, u trajtuan tema në lidhje me sigurinë e informacionit në kuadër të zhvillimeve të reja në teknologji dhe u prezantuan zgjidhje të mundshme  në lidhje me sektorin e pagesave të cilat mund të aplikohen në të ardhmen në sektorin bankar.

Në konferencë ishin të ftuar, gazetarë, organizatat ndërkombëtare, shoqëri të telekomunikacionit, ofrues të produkteve dhe shërbimeve inovative në sektorin bankar, si dhe grupe e interesit mbi teknologjinë.

GALLERY